Fakti që media luan një rol të rëndësishëm në angazhimin qytetar dhe
pjesëmarrjen e publikut në diskutimet me interes të përbashkët, i ka intriguar
vazhdimisht studiuesit e fushës së medias dhe komunikimit. Fillimisht kjo
fushë e studimeve të medias mori vëmendje duke u shtjelluar më tepër në
teoritë që fokusoheshin mbi ndikimin e medias mbi audiencën. Një sërë
teorish si ajo e ―përdorimit dhe kënaqësisë‖ apo teoria e përcaktimit të
axhendës, ndërtuan një traditë të studimit në këtë fushë. Megjithatë ndikimi i
medias mbi audiencat mbetet ende një fushë e parapëlqyer për t‘u eksploruar
nga studiuesit e fushës së komunikimit dhe medias.
Ky punim synon të evidentojë potencialin e mediave lokale në Shqipëri
për të nxitur angazhimin dhe pjesëmarrjen qytetare në komunitetitet ku ato
operojnë, duke përdorur mundësitë që ofrojnë platformat e mediave sociale
si Facebook, Twitter, Instagram, etj.
Studimi do të bazohet në analizën e të dhënave të grumbulluara nga
anketimi i gazetarëve të medias lokale dhe pronarëve apo drejtuesve të tyre.
Gjatë punimit do të ndalemi në tre raste konkrete ku do të shqyrtojmë
përdorimin e rrjeteve sociale nga dy operatorë lokalë dhe dy portale
informative me karakter lokal.
Gjatë studimit synohet tu jepen përgjigje pyetjeve kërkimore që kanë të
bëjnë me përdorimin e profileve në mediat sociale nga ana e operatorëve
lokale me qëllim rritjen e shkallës së angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare të
komuniteteve lokale si dhe rolin që luajnë këto platforma për të kapërcyer
krizën e defaktorizimit te operatorët e medias lokale